U themelua shoqëria “Puna” e Korçës (1933–1937), organizatë profesionale e punëtorëve. Në të merrnin pjesë rreth 500 punëtorë e mjeshtër ndërtimi: muratorë, karpentierë, suvatues, gëlqerebërës, punëtorë të tullave e të tjegullave, marangozë, teneqepunues, elektricistë etj. Prandaj u quajt: Shoqëria profesionale e mjeshtërve për ndërtime godinash “Puna”. Kryetar i Shoqërisë u caktua Petro Papi, anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Qëllimi i saj, sipas statutit legal, ishte mbrojtja, ndihma morale e materiale e anëtarëve të saj dhe ruajtja e dinjitetit të punëtorëve. Në statut thuhej se Shoqëria nuk do të merrej me veprimtari politike. Shoqëria “Puna” zhvilloi një veprimtari të gjerë e të dendur për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, që nga ndërhyrjet për rastet kur anëtarëve të saj nuk u paguhej paga ose u paguhej më pak nga sa ishte marrëveshja, e deri tek organizimi i grevave për përmirësimin e kushteve të punës dhe të nivelit të jetesës së tyre. Ishte shoqëria punëtore më e organizuar dhe më luftarake në atë periudhë. Shoqëria “Puna” kishte në krye një këshill drejtues me kryetar Pilo Peristerin. Kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë: kundër papunësisë, kundër arbitraritetit të punëdhënësve që i hidhnin punëtorët në rrugë, për kontrollin e tregtisë së drithit, të blojës dhe të çmimeve të bukës, për uljen e orëve të punës, për përmirësimin e kushteve të punës, për zëvendësimin e sistemit angari në mirëmbajtjen e rrugëve me taksa progresive në të holla, për hapjen e punimeve botore me leverdi për ekonominë e vendit etj., e vinin qeverinë në pozita të vështira. Shoqëria “Puna” mori pjesë edhe në luftën për demokratizimin e këshillit bashkiak, të atij të Dhomës së Tregtisë, në zgjedhjet e kryepleqve dhe deputetëve etj. Qeveria, duke e konsideruar të dëmshme dhe me rrezik veprimtarinë e shoqërisë, e shpërndau atë me 27 shkurt 1937. (Në fotografi: Pamje panoramike e qytetit të Korçës, fillimi i shek. XX.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2512–2513.
Fotografia: © https://archive.org/details/iaps_korca_postcards/2016_05_27_14_14_35_001.jpg
Përpunim grafik: AHCF




