Në Korçë u themelua Shoqëria Artistike “Bandë e Lirisë”, ndër të parat shoqëri artistike e ngritur në pragun e Pavarësisë. Nismëtar për krijimin e saj u bë Klubi “Dituria”. Kishte në përbërje rreth 40 instrumentistë, veç anëtarëve të tjerë të shoqërisë. Të gjitha veprimtaritë muzikore i drejtonte mjeshtri i muzikës Paskal Anibale. Shoqëria, në bashkëpunim me Klubin “Dituria”, dha disa shfaqje teatrore. Ajo u kujdes edhe për përgatitjen e instrumentistëve të rinj, për ngritjen e grupit të valleve dhe për edukimin muzikor të qytetarëve. Luajti rol të rëndësishëm për propagandimin e idealeve kombëtare dhe për interpretimin e pjesëve muzikore e të këngëve patriotike. U mbyll nga autoritetet osmane në dhjetor të vitit 1911. (Në fotografi: Lista e anëtarëve të Klubit “Dituria”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2505.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




