U themelua “Klubi i Janinës”, shoqatë kulturore-atdhetare shqiptare. Ishte ndër klubet e para shqiptare e nga më të mëdhatë që u ngritën menjëherë pas fitores së Revolucionit Xhonturk, më 1908. U themelua nga atdhetarët shqiptarë të Janinës, me kryetar Zija Beun. Në vitin 1910 kryetar i Klubit të Janinës u zgjodh Kadri Gjata. Klubi përbëhej nga intelektualë, nëpunës të aparatit shtetëror lokal, mësues shkollash etj. Kishte Statutin e tij me emrin “Rregullore e shoqërisë së shqiptarëve në Janinë” (1908), sipas të cilit qëllimi kryesor i Klubit të Janinës ishte ngritja kulturore e arsimore e popullsisë shqiptare të vilajetit të Janinës. Klubi i Janinës nxori organin e vet të shtypit, gazetën “Zgjimi i Shqipërisë” 1909–1910, që ishte fletorja e parë shqipe në kryeqendrën e vilajetit. Në vjeshtën e vitit 1908, Klubi i Janinës arriti të fuste mësimin e gjuhës shqipe me alfabetin shqip në gjimnazin (idadijen) e Janinës. Në pranverën e vitit 1909, Klubi i Janinës kërkoi nga organet shtetërore lokale, që në të gjitha shkollat shtetërore turke të vilajetit të futej si lëndë mësimi i gjuhës shqipe, ndërsa në shkollat greke të futej edhe gjuha shqipe (krahas greqishtes) si gjuhë mësimi për nxënësit shqiptarë, që përbënin shumicën e nxënësve të këtyre shkollave. Kjo kërkesë u kundërshtua nga valiu i Janinës. Në gusht të vitit 1909, Klubi i Janinës iu nënshtrua përndjekjeve nga autoritetet xhonturke; u arrestuan kryetari i tij dhe veprimtarë të tjerë, që mundën të shpëtojnë nga internimi në Anadoll, vetëm falë protestave të klubit dhe të atdhetarëve të Janinës. Nga vera e vitit 1910 Klubi i Janinës, ashtu si shoqëritë e tjera shqiptare, u vu në kushte të vështira për shkak të dhunës së ushtruar nga Shefqet Turgut pasha, i cili e shtriu terrorin xhonturk në gjithë Shqipërinë, filloi të persekutonte kudo atdhetarët shqiptarë. (Në fotografi: Kadri Gjata, kryetar i Klubit të Janinës, 1910.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1192.
Fotografia: © https://memorie.al/si-e-vrane-greket-patriotin-kadri-gjata-kumbaro-kryetarin-e-klubit-bashkimi-te-shqiptareve-te-janines-dhe-botuesin-e-gazetes-zgjimi-i-shqiperise/
Përpunim grafik: AHCF




