Rexhep Meidani

Lexo ngjarje:

Në Tiranë lindi Rexhep Meidani, President i Republikës së Shqipërisë në vitet 1997–2002, fizikan, profesor, akademik. Lindi në Tiranë, ku kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966). U emërua pedagog në katedrën e fizikës në Universitetin e Tiranës (1966). Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin Paris XI, ku mbrojti dhe doktoratën e “Ciklit të tretë në fizikën e trupit të ngurtë” (1973–1976). Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tiranës. Si pedagog, përgjegjës katedre (1986–1990, 1992–1996) dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore (1988–1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor e të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statike, fizikës së trupit të ngurtë etj.). Ka botuar disa monografi, si edhe shumë artikuj në organe shkencore, brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat monografia “Mbi lëvizjen fizike” (1985), teksti pasuniversitar “Bazat teoriko-konceptuale të fizikës” (1997) etj. Ka dhënë cikle leksionesh në Universitetin e Prishtinës, si dhe në universitete të huaja, disa prej tyre i kanë dhënë titullin “Doctor honoris causa”, si Universiteti i Stambollit, i Selanikut, i Sofjes, i Romës, i Brixhportit (SHBA) dhe i Portsmuthit (Angli). Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Rexhep Meidani u aktivizua në jetën politike e shoqërore dhe dha ndihmesë në proceset demokratike që nisën në vend. Në dhjetor 1990 u emërua kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve të para pluraliste. Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste (1996–1997); në zgjedhjet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë; në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë. Në vitet e fundit ka botuar shumë shkrime për problemin e Kosovës dhe zhvillimet në rajon e në vend. Ka marrë “Çmimin e Republikës” të Shkallës së Dytë, si dhe urdhra e medalje të dhëna nga institucione të vendeve të huaja. (Në fotografi: Rexhep Meidani)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1680.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Rexhep_Meidani

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img