Në Leskovik lindi Petrit Radovicka, inxhinier hidroenergjetik, profesor, akademik, Hero i Punës Socialiste. Kreu gjimnazin e Tiranës dhe filloi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Torinos (1939), të cilat i ndërpreu më 1942 dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit përfundoi studimet e larta në Institutin Energjetik në Moskë (1950). Petrit Radovicka qe drejtor i Kombinatit Energjetik, që me ngritjen e tij (1951), mbi të cilin u ngrit më pas Sistemi Unik Elektroenergjetik Shqiptar. U mor me studimin e zhvillimit të energjetikës në vendin tonë, duke përpunuar dhe mbrojtur variantin parësor për ndërtimin e HEC-eve (energji hidroelektrike) të fuqishme të kombinuara me TEC-e (termocentrale). Petrit Radovicka ka qenë pedagog në Institutin e Lartë Politeknik, që me krijimin e tij, nënkryetar i Institutit të Shkencave (1955), zv.rektor i Universitetit të Tiranës (1965–1968), nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1972–1980), rektor i Universitetit të Tiranës (1975–1981), kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë, që me krijimin e tij (1981–1987) dhe përgjegjës i katedrës së centraleve elektrike në Universitetin e Tiranës (1987–1990). Petrit Radovicka ka përfaqësuar vendin tonë në forume ndërkombëtare për shfrytëzimin e pasurive hidrike, ka marrë pjesë si kryetar grupi në Kongresin Ndërkombëtar të Digave të Mëdha në Londër dhe ka krijuar në Shqipëri Komitetin Kombëtar të Digave të Mëdha. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor (1974–1982). Ka marrë titullin “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” dhe Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë (dy herë). U nda nga jeta në vitin 1991. (Në fotografi: Petrit Radovicka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2199.
Fotografia: © http://www.akad.gov.al/ash/home/asambleja/anetar/te-ndare-jeta?id=117
Përpunim grafik: AHCF




