U zhvillua “Masakra e Izbicës”, masakër e forcave të policisë dhe të ushtrisë së Serbisë mbi popullsinë civile në fshatin Izbicë të komunës së Skënderaj. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ushtria dhe policia e Serbisë filluan më 25 mars 1999 një ofensivë nga fshati Runik në drejtim të fshatin Klladërnicë dhe Izbicë. Më 27 mars në fshatin Klladërnicë, si hakmarrje për humbjet që kishin pësuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, forcat serbe masakruan dhe vranë 67 civilë të moshave të ndryshme. Në të njëjtën ditë forcat serbe granatuan fshatin Izbicë, ku ishin të strehuar rreth 8–10 mijë të zhvendosur të fshatrave përreth, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq. Natën ndërmjet 27–28 marsit, rreth 4 mijë banorë e lëshuan fshatin dhe u nisën në drejtim të Tushilës. Të nesërmen forcat serbe rrethojnë vendin ku ishte përqendruar popullsia civile, ndajnë meshkujt (mbi moshën 14-vjeçare) nga gratë, të cilat i nisin në drejtim të fshatit Vojnikë–Turiqec, duke i urdhëruar të vazhdojnë rrugën për në Shqipëri. Meshkujt e ndaluar i ndanë në dy grupe dhe prej 130 vetave sa ishin të renditur për ekzekutim, arritën të shpëtojnë vetëm 16 syresh, 12 prej të cilëve të plagosur. Kështu, në Izbicë u ekzekutuan gjithsej 114 persona. Masakra e dytë në fshatin Izbicë u bë më 11 maj 1999. Kjo masakër u krye në lagjen e Xhemajlajve, ku u vranë 12 banorë, kryesisht nga fshati Burojë. Viktimat u zhvarrosën më 28 maj nga policia serbe, për t’i humbur gjurmët e krimit, duke i rivarrosur në vende të ndryshme të Kosovës, ose në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Në kompleksin memorial të fshatit Izbicë janë të shënuar emrat 147 personave të vrarë gjatë luftës së vitit 1998/’99. (Në fotografi: Pamje e kompleksit memorial)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1055.
Fotografia: © https://www.dielli.info/23-vjet-nga-masakra-e-izbices-ku-u-vrane-147-civile-ende-ka-te-zhdukur/
Përpunim grafik: AHCF




