Kështu, Shtabi i Zonës IV për Mbrojtjen e Kosovës nga komunistët dhe çetnikët sllavë, që ishte formuar në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e që kishte për obligim mbrojtjen e zonës Ferizaj–Kaçanik–Gjilan, organizoi disa takime me veprimtarët e vet. Në krye të shtabit ishte Adem Gllavica. Nën udhëheqjen e tij u tubuan rreth 50 veprimtarë, në mesin e të cilëve edhe Hysen Tërpeza, Idriz Hajrullahu, Muharrem Fejza, Qazim Llugaxhia, Bajrush Kapetani etj. U vendos që të organizohen të gjitha forcat nacionaliste shqiptare për të çliruar dhe për të shpëtuar Ferizajn dhe Gjilanin nga masakrat e komunistëve dhe çetnikëve serbë. U caktuan edhe prijësit e këtyre operacioneve. Për Ferizajin u caktuan Adem Gllavica, Hysen Tërpeza dhe Qazim Llugaxhia; për Gjilanin: Idriz Hajrul-lahu, Sylë Zarbinca dhe Muharrem Fejza. Në mëngjesin e 2 dhjetorit të vitit 1944, Adem Gllavica me bashkëluftëtarët e vet, në krye të rreth 2 000 vullnetarëve, mësyu dhe për një kohë të shkurtër depërtuan në disa pjesë të qytetit të Ferizajt. Ata morën ndërtesën e xhandarmërisë dhe kazermat që ishin të zbrazëta, depërtuan deri te kisha katolike, te lagjja e malazezëve, kulla e Bakiqëve dhe deri te ndërtesa në të cilën ishte i vendosur Shtabi i Brigadës II të Kosovës, efektiveve të së cilës i erdhën në ndihmë edhe popullsia sllave e qytetit dhe e fshatrave përreth. Gjatë luftimeve forcat partizane përdorën edhe artilerinë kundër shqiptarëve, derisa nga ana e Gjilanit atyre iu erdhi në ndihmë një batalion i Brigadës III të Kosovës. Ndihma u erdhën edhe nga Prishtina e Shkupi. Luftimet zgjatën tërë ditën, aty-këtu edhe të nesërmen. Për shkak të raportit të pabarabartë të forcave, njësitet vullnetare shqiptare u detyruan të tërhiqen. Kjo luftë nga pushteti komunist u shfrytëzua si shkas për masakër të re mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Vetëm gjatë 2–3 ditëve u vranë dhe u plagosën rreth 1 500 shqiptarë. Edhe forcat partizane patën humbje të konsiderueshme. (Në fotografi: Pamje e qytetit të Ferizajt.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 998–999.
Fotografia: © https://ferizaj24.info/qyteti/
Përpunim grafik: AHCF




