Në fshatin Labinot të Elbasanit zhvilloi punimet Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare. Merrnin pjesë 55 delegatë, të cilët përfaqësonin Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (të Përkohshëm), BRASH-in (Bashkimi i Rinisë Antifashiste të Shqipërisë), BGSH-në (Bashkimi i Gruas Antifashiste të Shqipërisë), Bashkimin e Studentëve Universitarë dhe Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH-së (Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare). Në konferencë u bë bilanci i rrugës së ndjekur nga Fronti Nacionalçlirimtar që nga themelimi i tij, në Konferencën I Nacionalçlirimtare në Pezë (1942). U vlerësuan arritjet për bashkimin e popullit shqiptar dhe për kryengritjen e armatosur, e cila tani kishte hyrë në një etapë të re, në kryengritjen e përgjithshme. Konferenca përpunoi dhe detyrat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e plotë të vendit dhe u ndal në mënyrë të veçantë në problemet e pushtetit, baza e të cilit ishin këshillat nacionalçlirimtarë. Ajo vërejti se ky pushtet ishte vendosur në shumicën e krahinave të vendit. U vu detyrë që ai të shtrihej në gjithë Shqipërinë. Konferenca e cilësoi pushtetin e këshillave nacionalçlirimtarë si të vetmin pushtet të ligjshëm në Shqipëri. Ajo përcaktoi masat për forcimin dhe centralizimin e pushtetit. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, duke rritur numrin e anëtarëve nga 8 në 62 veta. Për herë të parë u zgjodh dhe një kryesi e tij, e përbërë nga 16 anëtarë, midis të cilëve ishin Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Omer Nishani, Mustafa Xhani, Abaz Kupi, Ollga Plumbi, Kostë Boshnjaku etj. Në Këshillin e Përgjithshëm dhe në këshillat nacionalçlirimtarë të qarqeve u vendos të ngriheshin seksione, si: i çështjeve sociale, i ekonomisë e financave, i shtypit e propagandës dhe i arsimit. Ky vendim u vu në jetë menjëherë pas konferencës. Konferenca miratoi Statutin dhe Rregulloren e këshillave dhe njohu organizatat antifashiste ekzistuese, Bashkimi i Rinisë Antifashiste të Shqipërisë dhe Bashkimin e Studentëve Universitarë të Shqipërisë, si organizata që kishin aderuar në Frontin Nacionalçlirimtar të Shqipërisë. (Në fotografi: Moment nga Konferenca e Labinotit, 1943.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1244–1245.
Fotografia: © Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë
Përpunim grafik: AHCF




