Në sallën e kinemasë “17 Nëntori” Tiranë u zhvillua procesi i njohur si “Gjyqi i deputetëve”, një ndër masakrat e vërteta pas një gjyqi të shpejtë që kishte për qëllim të zhdukte elitën politike dhe kundërshtarët e mundshëm të regjimit komunist. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta (kryetar), Kapiteni I Nexhat Hyseni (anëtar) dhe Kapiteni II Mustafa Iljazi (anëtar), shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë, që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Ishte periudha kur Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe po shtrinin maksimalisht diktatin e tyre duke mbjellë terror dhe duke eliminuar kundërshtarët e mundshëm politikë. Nga të gjykuarit, 15 prej tyre dënohen me vdekje dhe forma e ekzekutimit ishte edhe më makabre, kur shkuan në litar dhe para togës së pushkatimit. Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve me orientime demokratike e kombëtare bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme si prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye. Të dënuarit ishin: Shefqet Beja (dënohet me vdekje, varje), Sheh Ibrahim Karbunara dënohet me vdekje, varje), Enver Sazani (dënohet me vdekje, pushkatim), Selaudin Toto (dënohet me vdekje, pushkatim), Irfan Majuni (dënohet me vdekje, pushkatim), Sulo Ismail Klosi (dënohet me vdekje, varje), Riza Alizoti (dënohet me vdekje, varje), Salim Kokolari (dënohet me vdekje, pushkatim), Muhamet Prishtina (dënohet me vdekje, pushkatim), Tefik Deliallisi (dënohet me vdekje, pushkatim), Hysen Shehu (dënohet me vdekje, pushkatim), Beqir Çela (dënohet me vdekje, pushkatim), Abdyl Kokoshi (dënohet me vdekje, pushkatim), Pertef Karagjozi (dënohet me vdekje, pushkatim), Agathkli Xhitami (dënohet me vdekje, pushkatim), Ramazan Tabaku (dënohet me burg të përjetshëm), Gjovalin Vlashi (dënohet me burg të përjetshëm), Foto Bala (dënohet me burg të përjetshëm), Ramë Marku (dënohet me burg të përjetshëm), Rustem Sharra (dënohet me 20 vjet burg), Xhevat Xhafa (dënohet me 20 vjet burg), Shefki Minarolli (dënohet me 20 vjet burg) dhe Sulo Konjari (dënohet me 15 vjet burg). (Në fotografi: Moment nga gjyqi i deputetëve, 1947.)
Teksti: https://kujto.al/ngjarje/gjyqi-i-deputeteve-15-te-ekzekutuar-8-te-denuar-me-burg/
Fotografia: © Arkivi Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




