Lindi në Berat Ferdinand Hysi, dramaturg. Mbaroi fakultetin e inxhinierisë elektrike në Universitetin e Tiranës më 1975. Ka punuar si inxhinier në Post-Telekom, Vlorë (1975–1979 dhe 1992–1997), në Komitetin e Rinisë (1979–1984), mësues në shkollën e mesme industriale (1984–1988), libretist pranë Teatrit të Vlorës (1988–1992), pedagog i jashtëm në Universitetin e Vlorës. Vepra e parë ishte “Rruga Budi 723”, e vënë në skenë nga regjisori Nazmi Bunjaku, më 1978. Në Konkursin Kombëtar Letrar më 1993, vepra e tij “Tri mendje në ankand” mori çmimin e dytë. Në Festivalin Kombëtar të Teatrove zhvilluar në Tiranë 1994, shfaqja e kësaj drame nga teatri “Petro Marko” i Vlorës u vlerësua më e mira, kurse në vitin 1997 në një konkurs të organizuar nga komiteti i dramës për vendet ballkanike, me qendër në Paris, drama fitoi çmimin e dytë. Përmes një parabole ku subjekti, ngjarjet dhe personazhet shndërrohen në simbolikë të qartë e të pastër, jepet gjendja e kaosit social politik të vendit, dëshpërimi dhe mjerimi i njerëzve të braktisur, ironia dhe sarkazma ndaj qëndrimeve indiferente të të huajve me të ashtuquajturat “ndihma humanitare”. Ferdinand Hysi shquhet për një stil modern e të kohës, përdor rëndom elemente surreale duke e vendosur ngjarjen në realitete të trilluara, me praninë e fortë të konvencioneve. Karakteri konvencional, trilli, realiteti fiktiv, alegoria dhe simbolika krijojnë rëndom strukturën e dramave të tij, sikurse mbivendosjet simbolike, “skematizimi” i qëllimtë i personazheve, fuqia sintetizuese dhe krijimi i metaforave gjithëpërfshirëse përbëjnë cilësi të shfaqshme të krijimtarisë së tij. Ferdinand Hysi ka një imagjinatë dhe fantazi pjellore, e cila e mbush realitetin dramaturgjik me gjetje, skena, personazhe dhe zgjidhje origjinale e të befasishme. Është i kursyer në fjalë, lakonik; ndërton një dialog të bukur, që rrjedh, duke e veshur me shumë mprehtësi, nënkuptime, mendime të mençura, ironi, sentenca morale a filozofike, shprehje popullore; shquhet për humorin e hollë, inteligjent, që buron vetiu, më së shumti nga situatat paradoksale sesa nga personazhet. (Në fotografi: Ferdinand Hysi)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://sot.com.al/english/kultura/ferdinand-hysi-tri-mendje-ne-ankand-pavaresisht-kohes-qe-eshte-shkruar-e-i444414
Përpunim grafik: AHCF




