Në Tiranë lindi Fatos Nano, kryeministër i Republikës së Shqipërisë në disa qeveri pas vendosjes së pluralizmit politik, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë që nga themelimi i saj (1991) deri më 1 shtator 2005, deputet në të gjitha legjislaturat që nga viti 1991, profesor. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Ekonomisë (dega ekonomi politike) të Universitetit të Tiranës (1975). Ka punuar si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit (1975–1978) dhe në kooperativën bujqësore të Priskës (Tiranë, 1981–1983); si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste (1978–1981, 1984–1990), njëkohësisht pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. U pranua anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë në vitin 1987. Më 1990 qe një ndër intelektualët e parë që mbështeti lëvizjen demokratike për ndryshimin e sistemit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në dhjetor të vitit 1990 u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe pas një muaji zv.kryeministër. U zgjodh deputet i Partisë së Punës të Shqipërisë në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe mori votëbesimin nga Kuvendi Popullor pluralist si Kryeministër i Shqipërisë. Për shkak të mungesës së stabilitetit në vend dhe të grevave dha dorëheqjen më 04.06.1991. Në Kongresin X të Partisë së Punës të Shqipërisë (qershor 1991), që shpalli formimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, u zgjodh kryetar i saj. Pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, që u fituan nga Partia Demokratike e aleatët e saj, drejtoi opozitën. Në qershor 1993 u arrestua dhe më vonë u dënua me 12 vjet heqje lirie, me akuzën për “abuzim në detyrë me pasojë përfitim për të tretët”. Arrestimi dhe dënimi i tij ngjalli shumë protesta të forcave të majta në vend dhe jashtë, duke e cilësuar si të burgosur politik. Në mars 1997 u lirua me dekret presidencial. Pas fitores së Partisë Socialiste të Shqipërisë në zgjedhjet e qershorit 1997, u caktua kryeministër (korrik). Qeveria ndërmori një varg reformash institucionale, ekonomike e shoqërore, që ndihmuan në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e vendit pas trazirave të vitit 1997 dhe e afruan atë në Bashkimin Evropian. Më 1 tetor 1998 dha dorëheqjen si kryeministër dhe pak javë më vonë si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në Kongresin III të Partisë Socialiste të Shqipërisë (tetor 1999) u rizgjodh kryetar i saj. Në gusht 2002 mori për herë të tretë votëbesimin në Kuvend si kryeministër. Me fitoren e Partisë Demokratike e të aleatëve të saj në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dha dorëheqjen si kryeministër dhe më pas, më 1 shtator 2005, edhe si kryetar i Partisë Socialiste. (Në fotografi: Fatos Nano)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1808.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Fatos_Nano
Përpunim grafik: AHCF




