Në Tiranë u ekzekutua “grupi i parë i deputetëve”, deputetë antikomunistë në parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste, të cilët dolën hapur e të organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe morën përsipër të bënin opozitën në parlament. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist, u kushtoi jetën 16 deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament. Gjyqi i grupit të deputetëve filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. Gjykata Ushtarake, nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët u akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me grupin e deputetëve. Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë. Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët. (Në fotografi: Gjyqi i grupit të deputetëve, 1947.)
Teksti: https://ata.gov.al/2022/10/10/75-vjetori-i-ekzekutimit-te-grupit-te-deputeteve/
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




