Fshati Loxhë kishte rëndësi të madhe strategjike, pasi ishte urë lidhëse ndërmjet zonave të kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të qytetit të Pejës. Dalja publike e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Loxhë e Raushiq të Pejës u vlerësua si sfidë e madhe për forcat serbe, meqë fshatrat gjendeshin në periferi të qytetit, afër bazës ushtarake serbe në Zagermë, në kufi me fshatin Gorazhdec, ku gjendeshin njësitet paramilitare serbe. Në këtë vijë të frontit (Loxhë–Raushiq) mbroheshin të gjitha fshatrat e Lugut të Baranit, deri në Gllogjan. Ofensivës kundër fshatrave Loxhë e Raushiq i parapriu një incident i armatosur, që kishte ndodhur në afërsi të fshatit gjatë kohës kur Vojisllav Shesheli gjendej për vizitë në Pejë. Më 6 korrik, që në orët e para të mëngjesit u sulmuan njëkohësisht fshatrat Loxhë e Raushiq nga forcat e ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë. Në këtë betejë morën pjesë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga e gjithë Zona e Dukagjinit, të cilët kishin për më shumë se dy javë që kishin përforcuar pozicionet e tyre në Loxhë, sepse kishte informacione se forcat serbe do të sulmonin në këtë pikë. Në këtë betejë morën pjesë edhe ish-oficerët e ushtrisë jugosllave të ardhur disa ditë më parë në Kosovë. Në këtë betejë forcat serbe pësuan humbje të mëdha dhe u detyruan të tërhiqen. As në ofensivën e dytë kundër Loxhës (më 11 korrik) forcat serbe nuk arritën të depërtonin në fshat. Ofensiva e tretë, e përmasave shumë më të mëdha, u ndërmor më 15 gusht. Fillimisht, në orët e para të mëngjesit u bombardua Loxha me katër aeroplanë luftarakë dhe gjashtë helikopterë. Një brigadë tankesh dhe autoblindash mori pjesë në sulm, duke e mbajtur fshatin nën zjarr të pandërprerë të artilerisë dhe të forcave të këmbësorisë. Pothuajse tërë ditën njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënë rezistencë heroike, ndonëse luftimet ishin të përgjakshme dhe të pabarabarta. Gjatë tri ofensivave, nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës ranë shumë dëshmorë, përfshirë komandantin e vijës së frontit në Loxhë, Skënder Çekun, pastaj eprorë dhe aktivistë të tjerë, si dhe u plagosën shumë luftëtarë. (Në fotografi: Fshati Loxhë afër Pejës)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 179.
Fotografia: © https://www.facebook.com/profile.php?id=100063745320426&sk=photos&locale=sv_SE
Përpunim grafik: AHCF




