Në Vlorë lindi Alfred Nini, piktor. Artisti Alfred Nini bën pjesë në grupin e piktorëve peizazhistë shqiptarë. Kreu Liceun AJM (1983) dhe Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1991). Në vitin 1996 çeli në Vlorë galerinë jo-publike “NINI”, e cila ishte një qendër e rëndësishme e nxitjes dhe inkurajimit të krijimtarisë dhe cilësisë artistike për artistët. Gjatë viteve 1993–2020, Nini ka qenë pedagog në shkollën artistike në Vlorë dhe në Universitetin Evropian të Tiranës. Piktori Alfred Nini ka një krijimtari të pasur. Ai është një piktor i ndjeshëm realist, që synon zbulimin e bukurive të peizazhit shqiptar nëpërmjet një koloriti të përmbajtur dhe një drite të qetë. Artisti ka çelur disa ekspozita vetjake, brenda dhe jashtë vendit. (Në fotografi: Vepra e Ninit “Peizazh nga liqeni i Tiranës”, 2001, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 62.
Fotografia: © Drishti Y., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




