U zhvillua “Masakra e Rancës”, masakër e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë mbi popullsinë civile, e zhvilluar në Livadhin e Gjatë të fshatit Greiçevc të komunës së Suharekës. Forcat serbe gjatë granatimit në distancë mbi popullsinë civile të këtyre vendbanimeve, e cila ishte strehuar në rripin malor i quajtur Livadhi i Gjatë, në mes fshatit Topillë dhe Greiçevc, vranë gjatë lëvizjes në kolonë familjen 11-anëtarëshe Asllani. Forcat serbe qëlluan me granatë topi mbi rimorkion e traktorit të kësaj familjeje, me ç’rast u vranë 11 anëtarët e familjes Asllani, prej të cilëve 8 fëmijë nga mosha 6-muajshe e deri në 13 vjet, ndërsa të plagosur mbetën edhe tre persona të tjerë, të cilët gjithashtu ndodheshin në traktor. Ushtria serbe, në të njëjtën ditë, në fshatin Rancë ekzekutoi edhe një person të moshuar. Mediet kryesore botërore njoftuan për këtë krim, bashkë me imazhet tronditëse të masakrës. (Në fotografi: Pamje e fshatit Rancë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1058.
Fotografia: © https://www.facebook.com/1671191566464063/photos/a.1671202746462945/2203593426557205/
Përpunim grafik: AHCF




