U zhvillua “Beteja e Kulinës” ndërmjet ushtrisë osmane dhe kryengritësve shqiptarë në fushën e Llapit. Beteja u zhvillua midis fshatrave Bërnicë dhe Kulinë. Forcat qeveritare u nisën drejt kësaj zone nga dy drejtime, për t’i rrethuar forcat kryengritëse. Operacionet e ushtrisë osmane i organizonte Ismail Fadil Pasha, i cili u nis nga Prishtina me tetë batalione dhe zuri pozicionet në vijën Vranidoll–Teneshdoll–rrezë e Majacit. Kurse nga Vushtrria ishin nisur gjashtë batalione të tjera këmbësorie, të pajisura me artileri, duke kaluar nëpër Samadrexhë dhe Breznicë, me synim për të dalë në kodrat e Barilevës dhe Lupçit të Poshtëm. Plani i forcave osmane dështoi, sepse kryengritësit shqiptarë nga Vesekofci arritën në Lupç dhe krijuan një vijë të frontit kundër ushtrisë osmane. Në grykën e Kulinës kryengritësit luftuan për gjashtë orë në luftën e pabarabartë dhe të përgjakshme. Humbjet nga të dyja palët ishin me dhjetëra të vrarë. Lufta vazhdoi edhe më 13 dhe 14 korrik 1912, kurse ushtria osmane u detyrua të tërhiqej nga fusha e Llapit dhe u pozicionua në kodrat përreth Prishtinës. (Në fotografi: Harta e Kosovës)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 179.
Fotografia: © https://cdn.britannica.com/79/118379-050-CBCDB4B8/Kosovo.jpg
Përpunim grafik: AHCF




