Beteja filloi më 10 korrik, me takimin e papritur të vëzhguesve të ushtrisë serbe me disa ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Shalës. Me këtë rast u plagosën disa nga vëzhguesit serbë. Të nesërmen, më 11 korrik, forcat serbe morën përforcime. Nga ajo ditë luftimet vazhduan pa ndërprerje, deri më 15 shtator 1998. Njësitin e komandonte Ajet Bajrami, por ishin të angazhuara edhe njësitet e tjera të brigadës “Mehë Uka”. Luftimet dhe granatimet u përqendruan nga Kutlloci–Shkoza e Madhe (Mazhiq) deri në Trepçali, ndërsa granatimet nga minahedhës dhe topa deri në 155 mm arrinin deri në mesin e Bajgorës. Gjatë luftimeve u shpërngulën pothuajse të gjithë banorët e fshatrave Mazhiq, Trepçali, Tërstenë, Kutlloc, Stantërg dhe një pjesë e fshatit Bare. Lufta më e ashpër dhe me humbje më të mëdha u zhvillua më 15 shtator. Serbia kishte angazhuar ushtri, polici, paramilitarë dhe mercenarë në këtë betejë, si dhe një arsenal prej 375 mjetesh të blinduara dhe logjistike. Pati shumë të rënë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa forcat serbe më pas dogjën dhe shkatërruan 789 shtëpi, të gjitha shkollat e fshatrave, vranë bagëti, dogjën ushqimin e kafshëve dhe të gjitha rezervat ushqimore. (Në fotografi: Pamje nga fshati Mazhiq.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 183.
Fotografia: © https://www.facebook.com/272849082831220/posts/5341395475976530/
Përpunim grafik: AHCF




