Mark Krasniqi

Lexo ngjarje:

Në Gllaviçicë afër Pejës, lindi Mark Krasniqi, profesor universiteti, etnograf dhe gjeograf, shkrimtar, akademik. Në vendlindje kreu shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Në vitet 1941–1943 studioi letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali) dhe më vonë (1946–1950) studioi gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit. Në vitin e parë pas Luftës së Dytë Botërore (1945–1946) punoi si gazetar-redaktor i gazetës “Rilindja”, që dilte në Prizren, kurse më vonë (1947–1949) caktohet të punojë si gazetar-redaktor në Radio-Beograd (redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe). Në vitet 1950–1961 punoi si asistent në Institutin Etnografik të Akademisë Serbe të Shkencave në Beograd, më vonë me titullin e bashkëpunëtorit shkencor. Doktoroi në Universitetin e Lubjanës në vitin 1960. Në periudhën 1961–1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti serb e përjashtoi nga procesi mësimor. Në vitin 1979 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku ka ushtruar funksionin e nënkryetarit dhe të kryetarit. Ishte kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970), kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës nga viti 1993 dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar disa libra shkencorë me tematikë gjeoetnografike, antropogjeografike, etnokulturore etj., më tej libra letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore, si dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbokroatishtja, sllovenishtja dhe maqedonishtja në gjuhën shqipe. Nga fusha e publicistikës ka botuar disa vepra: kompletin prej katër librash “Qëndrime e reagime” (1995), “Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare”, “Përpjekje për Kosovën” (2001) etj. Nga fusha e letërsisë ka botuar një sërë veprash për fëmijë, vepra që janë ribotuar shumë herë, duke qenë lekturë shkollore për shumë gjenerata nxënësish të moshave të ndryshme. U nda nga jeta në Prishtinë, në vitin 2015. (Në fotografi: Mark Krasniqi)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 877.

Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/mark-krasniqi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img