U formua batalioni partizan “Antonio Gramshi”, formacion partizan i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, i përbërë nga ish-ushtarë antifashistë italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943) iu përgjigjën thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për luftë kundër nazistëve gjermanë. U rreshtua në përbërje të Brigadës I Sulmuese. Në krijim kishte 170 veta, por më pas u rrit deri në 300 veta. Kuadrot drejtuese u zgjodhën nga vetë efektivi. Batalioni partizan “Antonio Gramshi” mori pjesë në luftë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Luftoi në Berat, Skrapar, Mallakastër, Tomorricë, Gorë, Opar, Mokër, Dumre, Sulovë, Çermenikë, Dibër, Mat, Krujë e Tiranë. Në luftë dhanë jetën shumë partizanë dhe kuadro të tij. Batalioni është dekoruar me urdhrin “Ylli Partizan” i Klasit I; luftëtarëve të tij u janë dhënë 50 urdhra dhe medalje të ndryshme. Pas çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ushtarët u grumbulluan dhe formuan Divizionin “Antonio Gramshi”, me mbi 1500 veta. Në maj të vitit 1945, partizanët italianë u përcollën për në atdhe me nderimet përkatëse nga autoritetet shqiptare. (Në fotografi: Ushtarë shqiptarë dhe italianë, 1945.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 196.
Fotografia: © http://www.respublica.al/2019/12/02/historibatalioni-antonio-gramsci-n%C3%AB-luft%C3%ABn-antifashiste-nacional%C3%A7lirimtare-shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




