Në qytetin Uajting (Whiting) (shteti Indiana, SHBA) lindi Ferid Murati, mjek klinicist dhe farmakolog, profesor, akademik, fitues i çmimit “Nobel” në mjekësi (1998). Lindi në një familje me origjinë shqiptare. Kreu kolegjin pranë Universitetit “De Pauw” në Grinkastëll (Greencastle, Indiana) për shkencat shoqërore (1954–1958), por studioi njëkohësisht edhe biologji, anatomi, embriologji e kimi. Ndoqi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Washington” në Sent-Luis dhe programin e doktoratës në Universitetin “Western Reserve” të Klivlandit në Ohajo (1958–1965). U përfshi në studimet e Earl Sutherland dhe Theodore Rall (zbuluesit e AMP-ciklike). Pasi kreu stazhin (1965–1967) filloi kërkimet në Institutin e Kardiologjisë (1967–1970). U ftua nga Universiteti i Virxhinias për të ngritur një sektor të ri të farmakologjisë klinike në departamentin e mjekësisë. Ka qenë drejtor i qendrës për hulumtime klinike (1971), drejtor i departamentit të farmakologjisë klinike në Universitetin e Virxhinias (1973), ku filloi dhe eksperimentet e para për hulumtimin e efekteve biologjike të oksidit nitrik. Ka pasur një varg funksionesh drejtuese në institucione të njohura të mjekësisë klinike dhe eksperimentale, pa i ndërprerë asnjëherë hulumtimet. Nga viti 1997, përgjegjës i departamentit të biologjisë dhe farmakologjisë në Universitetin “Texas” në Hjuston dhe drejtues i Institutit të Mjekësisë Molekulare nga viti 1999. Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i Shoqatës së Mjekëve, Stomatologëve. dhe Farmacistëve Shqiptarë të Maqedonisë së Veriut; anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (2000) etj. Mban titujt “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës dhe i Universitetit të Evropës Juglindore (Tetovë). Është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Ferid Murati)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1777.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ferid_Murati
Përpunim grafik: AHCF




