Kongresi i mbajtur në Berat vendosi shpalljen e Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë (KOASH). Kryepeshkopët e KOASH-it janë: Theofan Noli (1923–1924), Visarion Xhuvani (1929–1937), Kristofo Kisi (1937–1948), Pais Vodica (1948–1966), Damian Kokoneshi (1966–1967) dhe Anastas Janullatos (1992–). Që nga viti 1923 qendra e kishës ishte Mitropolia e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa pas vitit 1930 qendra kaloi në Tiranë, që ishte kryeqyteti i Shqipërisë, prandaj u quajt Mitropolia e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Kryepeshkopi mban titullin: “Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë”. Gjatë periudhës së sistemit socialist (1945–1990) u morën masa për dobësimin e ndikimit të fesë dhe kufizimin e veprimtarisë fetare, deri në ndalimin e riteve fetare dhe të institucioneve fetare në vitin 1967. Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, Kisha Ortodokse Autoqefale u riorganizua, u rikthyen në funksionim kishat e mëparshme dhe u ndërtuan një numër kishash të reja. (Në fotografi: Emblema e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1181–1182.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kisha_Ortodokse_Autoqefale_e_Shqip%C3%ABris%C3%AB
Përpunim grafik: AHCF




