Në Tiranë doli numri i parë i gazetës “Mësuesi”, gazetë e përjavshme, arsimore e kulturore, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë. Kryeredaktor i parë ishte Bedri Dedja. Në të u pasqyruan aspekte të ndryshme të veprimtarive në fushën e arsimit, kulturës e shkencës. Vendin kryesor e zinin çështjet e përmbajtjes së procesit mësimor-edukativ, të lëndëve dhe teksteve shkollore, puna e mësuesve dhe metodika e mësimdhënies, edukimi i nxënësve me frymën e demokracisë. Në rubrika të veçanta u trajtuan probleme të reformës arsimore, të drejtimit, kualifikimit etj. Vend me rëndësi iu kushtua traditave më të mira të arsimit dhe të shkollës shqipe. Në rolin e organit të shtypit pedagogjik, gazeta “Mësuesi” shërbeu si një ndihmës i përditshëm për punën konkrete të mësuesve dhe drejtuesve të arsimit. (Në fotografi: Ballina e gazetës “Mësuesi”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1701.
Fotografia: © https://wiki.shqipopedia.org/m%C3%ABsuesi
Përpunim grafik: AHCF




