Në Paris, u shpall formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e patriotit të njohur Mithat Frashëri. Komiteti, në rolin e një qeverie në mërgim, i mbështetur nga anglo-amerikanët, do të drejtohej nga një komitet ekzekutiv nën kryesinë e Mithat Frashërit me anëtarë Abaz Kupin, Seit Kryeziun, Zef Palin dhe Nuçi Kotën dhe do ta kishte selinë në Nju-Jork. Pranë tij, funksiononte dhe një komitet i përgjithshëm konsultativ, me përbërje më të gjerë, i kryesuar nga Abaz Kupi me dy zëvendës: Abaz Ermenjin dhe Seit Kryeziun dhe sekretar Gaqo Gogo. Në deklaratën e dhënë në BBC (British Broadcasting Corporation) në Londër, në shtator 1949, Mithat Frashëri theksonte se qëllimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” ishte lufta për të fituar pavarësinë e Shqipërisë, për të siguruar sovranitetin dhe shpëtimin nga regjimi komunist. (Në fotografi: Anëtarë të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”)
Teksti: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Tiranë
Fotografia: © https://gazetadielli.com/
Përpunim grafik: AHCF




