Në Elbasan lindi Hasan Ceka, një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, specialist për periudhën e antikitetit dhe në fushën e numizmatikës, profesor. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Vjenës për arkeologji (1930). Po këtë vit u kthye në atdhe, ku punoi për krijimin e një koleksioni arkeologjik dhe përfaqësoi shtetin shqiptar pranë misioneve të huaja në Butrint e në Apoloni. Nga 1947 e derisa doli në pension (1974) zhvilloi veprimtari të gjerë kërkimore e studimore. Apolonia ishte qyteti ku gërmoi e studioi për 40 vjet. Autor i dhjetëra artikujve me tematikë të gjerë historike-arkeologjike, botuar edhe jashtë vendit. Si njohës i greqishtes së vjetër dhe latinishtes dha ndihmesë themelore në përgatitjen për botimi të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antike”. Kujdes të veçantë tregoi për krijimin e kabinetit numizmatik, i cili shërbeu për kurorëzimin e punës së tij studimore me botimin e veprës “Probleme të numizmatikës ilire” (1965) dhe “Në kërkim të historisë ilire” (1998). U nda nga jeta në vitin 1998. (Në fotografi: Hasan Ceka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 357–358.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




