Në fshatin Nistrovë të Rekës së Epërme, që asokohe i takonte sanxhakut të Dibrës, lindi Josif Bageri, poet, shkrimtar, publicist, veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Fëmijërinë dhe rininë e hershme e kaloi në vendlindje. Shkrim-leximin shqip e mësoi në moshën 17-vjeçare në Sofje, ku shkoi si mërgimtar. Një kohë ushtroi zanatin e këpucarit. Qe njëri ndër themeluesit dhe aktivistët e Shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua në Sofje, më 1 janar 1893. Më 1899 vizitoi në Stamboll Naim Frashërin, i cili pati ndikim të madh në veprimtarinë e tij letrare dhe atdhetare. Gjatë viteve 1905–1907 punoi në përhapjen e arsimit dhe hapjen e shkollave shqipe. Më 1908 hapi shkollën shqipe në Nistrovë. Në vitin 1910 themeloi në Sofje gazetën “Shqypeja e Shqipnisë”. Pas vitit 1912 u vendos në Durrës dhe u emërua kryeredaktor i revistës “Ushtima e Krujës”. Botoi poezi, prozë, komente, reagime dhe shkrime të tjera letrare dhe publicistike. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë me figura të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. U nda nga jeta në Prishtinë, gjatë një udhëtimi nga Durrësi për në Sofje, në vitin 1915. (Në fotografi: Josif Bageri)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 92.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Josif_Bageri
Përpunim grafik: AHCF




