Në Tiranë doli numri i parë i gazetës “Telegraf” (1926–1928), gazetë informative, politike, shoqërore, kulturore e letrare, edhe frëngjisht e italisht. U themelua dhe drejtua nga Kostë Çekrezi. Vijoi deri në shtator të vitit 1928: fillimisht dy herë në javë, më pas tri e katër herë në javë; dolën 165 numra. Gazeta “Telegraf” u shqua për tematikë e problematikë të larmishme, për shumëllojshmëri formash të pasqyrimit publicistik, duke u vlerësuar si “gazetë moderne e Shqipërisë”. Më 28 nëntor 2005 filloi të botohet në Tiranë gazeta e përditshme “Telegraf”, që mëton të përtërijë traditën e paraardhëses së saj. (Në fotografi: Pamje nga Tirana e viteve ’30 të shekullit XX.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2673.
Fotografia: © Ledio Xhoxhi, arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




