Në Berat lindi Kasëm Trebeshina, poet, prozator, dramaturg, eseist. Ndërpreu mësimet në shkollën Normale të Elbasanit dhe u hodh në radhët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1942). Filloi studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi. Mospajtimi me politikën e udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë, kundërshtimi nga ana e tij i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve, e çuan Kasëm Trebeshinën më se njëherë në burg, si dhe i kushtuan heqjen e së drejtës së botimit. “Promemoria” e tij drejtuar Enver Hoxhës (5 tetor 1953), denonconte përqendrimin e pushtetit tek udhëheqësi dhe instalimin në kulturën shqiptare të metodës së realizmit socialist. Për shkaqe ideologjike vepra e tij filloi të botohej vetëm në vitet ’90 të shekullit XX. Fill pas vitit 1991 botoi: “Stina e stinëve” (novela, 1991), “Legjenda e asaj që iku” (tregime, 1992), “Koha tani, vendi këtu” (tregime, 1993) etj. Vepra e Kasëm Trebeshinës është shfaqje rebelimi kundër një realiteti ku çdo gjë ishte kthyer në të kundërtën e vet dhe funksiononte sipas alogjikës. Në të merret në mbrojtje individi, tjetërsimi i të cilit synohej, si nga realiteti, ashtu edhe nga arti. E shtrirë në kohë, shumë e vëllimshme, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare, e pasur dhe origjinale për nga mënyrat e ligjërimit artistik, vepra e Kasëm Trebeshinës, edhe pse në një pjesë të saj është ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pasluftës. U nda nga jeta në vitin 2017. (Në fotografi: Kasëm Trebeshina)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2746–2747.
Fotografia: © https://abcnews.al/shuhet-ne-moshen-91-vjecare-shkrimtari-kasem-trebeshina/
Përpunim grafik: AHCF




