U ngrit në Korçë shoqëria artistike “Lira”, që e zhvilloi veprimtarinë kryesisht në fushën e muzikës. Kishte dy formacione kryesore: korin dhe orkestrën, në të cilat bënin pjesë instrumentistë dhe këngëtarë me përvojë të shoqërive artistike të mëparshme të qytetit dhe pedagogë të liceut, disa prej të cilëve ishin francezë. Në veprimtaritë e saj herë pas here merrnin pjesë edhe studentë korçarë, këngëtarë dhe instrumentistë, që ndiqnin shkollat e larta për muzikë jashtë vendit. Si orkestra dhe kori dhanë shumë koncerte në Korçë dhe disa herë edhe në Tiranë. Formacionet e saj interpretuan shumë pjesë nga vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe këngë popullore shqiptare. E vijoi veprimtarinë e vet, me disa ndërprerje, deri në vitin 1934. Në veprimtaritë e shoqërisë “Lira” luajtën një rol të veçantë: drejtuesi i korit Sotir Kozmo, i cili ishte frymëzuesi dhe organizatori i tërë grupimit artistik; dirigjenti i orkestrës Paskal Anibale; instrumentistët Luigj Filaj, Ilo Mosko, Vasillaq Ballauri, Nikolla Hançe, Isuf Ibrahimi; pedagogët francezë të liceut: François de Laur, R. Granier. Shoqëria “Lira” luajti rol të rëndësishëm në lëvrimin e muzikës në qytet dhe në përgatitjen e disa këngëtarëve dhe instrumentistëve të rinj. (Në fotografi: Kori “Lira”)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2505–2506.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kori_%22Lira%22
Përpunim grafik: AHCF




