U themelua klubi “Bashkimi i Manastirit”, organizatë patriotike politiko-kulturore. U themelua nga Fehim Zavalani e Gjergj Qiriazi. Në statutin e tij botuar më 1908, thuhej se klubi do të punonte për forcimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, për përparimin e tyre kulturor, për lëvrimin e gjuhës dhe përhapjen e shkollave shqipe në mbarë vendin. “Komiteti i fshehtë” që funksiononte pranë tij, punonte për autonominë e Shqipërisë. Nxori organin e vet të shtypit me emrin “Bashkimi i kombit” e më vonë “Drita”. Klubi “Bashkimi” i Manastirit luajti një rol të madh në themelimin e klubeve të tjera dhe u zgjodh në Kongresin e Manastirit, në nëntor 1908, dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, në shtator 1909, si klub qendror që bashkërendonte veprimtarinë politike-kulturore në mbarë vendin. Ishte nismëtar i thirrjes së Kongresit të Manastirit për çështjen e njësimit të alfabetit, ndihmoi në përhapjen e shkollave shqipe, në organizimin e qëndresës kundër reaksionit xhonturk dhe masave të tij shkombëtarizuese, për mbrojtjen e alfabetit shqip dhe të kulturës shqiptare. U mbyll nga xhonturqit gjatë shtypjes së kryengritjes së vitit 1910, por u rimëkëmb dhe e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike. (Në fotografi: Pamje nga qyteti i Manastirit, 1908.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1191–1192.
Fotografia: © Kadiu A., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




