Në Elbasan lindi Bukurosh Sejdini, piktori shqiptar. Pasi mbaroi Shkollën e Vizatimit në Tiranë, ndoqi Akademinë e Arteve në Bukuresht, Rumani (1937–1939). Diplomohet në Akademinë e Arteve në Firence, Itali. Sejdini ishte pjesëmarrës aktiv në lëvizjen antifashiste ilegale në Shqipëri. Arrestohet dhe burgoset disa herë nga fashistët italianë. Piktori Sejdini, pas luftës, punoi si mësues vizatimi në shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e lindjes. Në krijimtarinë e artistit mbizotërojnë tablotë që pasqyrojnë figura të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por, mbi të gjitha, heronjtë dhe udhëheqës të rëndësishëm të luftës e të Partisë Komuniste Shqiptare. Në tablotë e tij Sejdini ka shfrytëzuar mjetet realiste akademike në shërbim të artit të porositur nga pushteti. U nda nga jeta në vitin 1991. Mban titujt “Piktor i Merituar” dhe “Mësues i Merituar”. (Në fotografi: Bukurosh Sejdini)
Teksti: Drishti Y., 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 35.
Fotografia: © https://adsh.al/s/elbasani/item/13875
Përpunim grafik: AHCF




