Në Shkodër u inaugurua ekspozita ateiste me titull “Mbi rolin reaksionar të fesë” e cila qëndroi e hapur për 5 vjet dhe shërbeu dhe si ekspozitë shëtitëse duke shkuar në fshatra, malësi dhe zona industriale për të bërë propagandë antifetare. Më 9 qershor 1973, ekspozita u shndërrua në “Muze ateist” me propagandë antifetare. Në hyrje të muzeut u vendos citati i Marksit: “Feja është opium për popullin”. Në stendat e secilit pavijon ishin ekspozuar dokumente, foto, materiale të ndryshme që synonin të evidentonin rolin armiqësor dhe reaksionar të klerit, sidomos atij katolik, si shërbëtor i Vatikanit dhe i imperializmit. Po ashtu ky muze kishte edhe një ekspozitë lëvizëse të përbërë nga 23 stenda, e cila ekspozohej në zona të ndryshme, jo vetëm të Shkodrës, por edhe Shqipërisë. Shqipëria renditet vendi i parë në botë që ka pasur një muze ateist. “Muzeu ateist” qëndroi i hapur deri më 13 dhjetor 1990. (Në fotografi: Pamje e jashtme e ndërtesës së “Muzeut ateist”.)
Teksti: https://www.bashkiashkoder.gov.al/web/Objektet_e_Kultit_2459_1.php
Fotografia: © Bashkia Shkodër
Përpunim grafik: AHCF




