Në Francë, nga autoritetet franceze u gjet trupi i pajetë i Ali Podrimjes, poet, akademik. Lindi në Gjakovë, në vitin 1942. Kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje. Mbaroi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Në fillim u punësua si gazetar në të përditshmen “Rilindja”, më vonë redaktor në ndërmarrjen e botimeve “Rilindja”, ku punoi deri në pensionim. Poezinë e parë “Bukuria” e botoi në vitin 1959, me të cilën tërhoqi vëmendjen e atëhershme, si talent i veçantë. Librin e parë “Thirrje” e botoi në vitin 1961. Formimi shpirtëror dhe intelektual i Ali Podrimjes u krijua në vitet ’50 të shekullit XX. Gjurmë të thellë do të lërë, sidomos, aksioni famëkeq serb për mbledhjen e armëve dhe shpërnguljen dramatike me dhunë nga Kosova për në Turqi. Si gjimnazist, por edhe më tej, ai zhvilloi betejë të madhe deri në fund të jetës edhe përmes poezisë. Poezia e Ali Podrimjes është e mbrujtur me fatkeqësitë kolektive të etnisë, por edhe me ato vetjake, me të cilat u përball pambarimisht. Në njëzet e më shumë vëllime poetike, por edhe në disa vëllime funksionale eseistike – në frymën gjithnjë të poezisë së tij, ai preku dhe përvijoi majat e poezisë shqipe. Në lartësinë artistike poezia e Ali Podrimjes shkëlqen misionare. Ajo ka gjakuar të jetë zë i dhembjes kolektive kosovare, zë i mprehtë, i qëndrueshëm, duke e universalizuar atë. E përkthyer në shumë gjuhë të botës, poezia e Ali Podrimjes frymëzoi dhe nxiti breza poetikë të shqipes, frymëzoi lëvizjet e të rinjve drejt lirisë dhe vlerave shpirtërore. Ishte laureat i një sërë çmimesh letrare dhe mirënjohjesh publike. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja u zhduk pas një festivali të poezisë në Francë. U nda nga jeta në rrethana të pasqaruara. (Në fotografi: Ali Podrimja)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1294–1295.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_Podrimja
Përpunim grafik: AHCF




