Bedri Pejani

Lexo ngjarje:

Në spitalin e Prizrenit u nda nga jeta Bedri Pejani, veprimtar i çështjes kombëtare, politikan, arsimdashës, kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Lindi në Pejë, në vitin 1885. U shkollua në vendlindje dhe në Stamboll, ku kreu studimet për histori. Pas mbarimit të shkollimit u mor me publicistikë. Më vonë u bë mbështetës i ideve të rilindësve shqiptarë, për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej të shpallej sa më parë si e tillë me rrugë revolucionare, me Shkupin kryeqytet të saj. Angazhohet për hapjen e shkollave shqipe në të gjitha vilajetet shqiptare. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) për unifikimin e alfabetit kombëtar, si dhe i bisedimeve të Shkupit (1912) për organizimin e mbrojtjes së trevave shqiptare nga Aleanca Ballkanike; pjesëmarrjes në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pas themelimit të qeverisë së Ismail Qemalit, merret me çështje të arsimit dhe të rinisë shqiptare. Një kohë ishte drejtor shkolle në Durrës; gjatë viteve 1914–1918 shërben në Kosovë për hapjen e shkollave shqipe. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës (1920). Botoi rreth 500 artikuj e studime nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Është përpilues i disa peticioneve drejtuar Shoqatës së Kombeve në Gjenevë (1923–1931). Pas Kryengritjes së Fierit (1935) arrestohet, ndërsa pas lirimit, më 1937, vendoset në Francë. Me t’u kthyer nga Franca bashkëpunon me Koço Tashkon për të ngritur popullin në kryengritje antifashiste në Krahinën e Dibrës. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, më 1941, kthehet në Kosovë për të organizuar rrjetin arsimor dhe të administratës në gjuhën shqipe. Merr pjesë në Kongresin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga 17 janari e deri më 25 korrik 1944, ka qenë kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Pas hyrjes së forcave partizane në Kosovë, në nëntor 1944, vendoset në Shkodër. Aty qëndroi i lirë derisa pushteti i Shqipërisë e dorëzoi te jugosllavët, më 1945. Deri në shkurt 1946 do të qëndrojë në burg e Prizrenit dhe në një proces gjyqësor dënohet me vdekje. Helmohet nga agjentet e Shërbimit Informativ Jugosllav në spital. (Në fotografi: Bedri Pejani)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1266.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Bedri_Pejani

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img